Mbi 400,000.00 euro është borxhi të cilin Spitali privat United Hospital i ka Adminstratës Tatimore të Kosovës!
Biznesmeni nga Shqipëria Alfred Ibrahimi i cili po hetohet nga SPAK-u nuk i ka paguar Adminstratës Tatimore asnjë cent që nga viti i kaluar, duke arrijtur kështu në një borxh në mbi 400,000.00 euro.
Për Gazetën Expose borxhin e United Hospital ndaj ATK-së e ka konfirmuar Avokati i Alfred Ibrahimit, Virtyt Ibrahimaga, duke thënë se ky borxh është i akumuluar tash e disa vite.
Gazeta Expose ka tentuar tash e një javë të marrë një qëndrim nga ATK, por përgjigja që ky institucion ktheu ishte totalisht jashtë temës për të cilën kishim dërguar pyetjet. Ani pse ky institucion i’u shmang pyetjeve të cilat Gazeta Expose ka dërguar, këtë ngjarje do ta përcjellë një mister i madh: pse ATK ka lejuar që ky subjekt të futej në borxhe aq të mëdha.
Një situatë e tillë dramatike është shqetësuese për të gjithë komunitetin shëndetësor dhe institucionet e shtetit. Ndërsa borxhi vazhdon të rritet, shpresa për rikuperim po bie gjithnjë e më shumë.
Përpara kësaj situate dramatike, Spitali Privat United Hospital ishte një institucion shëndetësor privat i njohur për cilësinë e shërbimeve të ofruara dhe për përkushtimin ndaj kujdesit shëndetësor. Megjithatë, sot, spitali është përfshirë në një vërshim ngjarjesh ku borxhi dhe problemet e brendëshme janë bërë një barrë e pamundur për t’i mbajtur standardet e larta të shërbimit.
Në këtë periudhë tensioni dhe ankthi, pacientët janë ata që paguajnë më së shumti. Autoritetet shëndetësore dhe autoritetet tatimore duhet të ndërhyjnë me urgjencë për të mbrojtur interesat e pacientëve dhe për të siguruar drejtësi në rast të ndonjë veprimi të paligjshëm.