Home » Sulmohen fizikisht tre shqiptarë në Mal të Zi

Sulmohen fizikisht tre shqiptarë në Mal të Zi

by Gazeta Expose
0 comments

Tre të rinj shqiptarë janë sulmuar fizikisht në Mal të Zi më 6 janar. Sipas policisë shqiptare, ngjarja ka ndodhur rreth orësn 14:00 në vendin e quajtur Zelenika në afërsi të qytetit Herceg Novi.

“Tre shtetasit shqiptarë kanë qenë duke lëvizur me një automjet me targa gjermane dhe befas janë sulmuar pa asnjë shkak, nga një grup prej gjashtë ose shtatë personash, të cilët kanë goditur fillimisht automjetin dhe më pas kanë sulmuar fizikisht shtetasit shqiptarë, duke iu shkaktuar dëmtime fizike në pjesë të ndryshme të trupit”, tha policia në Shqipëri.

Në njoftimin për mediat u tha po ashtu se tre shtetasit shqiptarë janë paraqitur në policinë lokale, në Herceg Novi, ku janë trajtuar nga ana e mjekut ligjor, i cili ka konstatuar dëmtime të shkaktuara nga goditjet fizike.

Fillimisht tre shqiptarët nuk kanë pranuar të bëjnë kallëzim, pasi u është kërkuar nga policia malazeze. Pas interesimit të autoriteteve shqiptare, është pranuar të bëhet kallëzimi vetëm në prani të një avokati, që u është vënë në dispozicion nga Ambasada shqiptare në Mal të Zi.

Policia e Shqipërisë tha se homologët malazezë i kanë siguruar se tre shtetasve shqiptarë u është ofruar ndihma e nevojshme dhe se po kryhen hetime intensive për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Deri tani mësohet se për këtë rast, autoritetet kanë shoqëruar disa persona.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, në një reagim për mediat, tha se ka komunikuar me homologun e tij, Danillo Saranoviq, të cilit i ka kërkuar informacion për ngjarjen. Balla tha se tre shtetasit shqiptarë janë sulmuar nga tetë persona të veshur me uniforma ushtarake.

Ai falënderoi kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiq, i cili në një postim në rrjetet sociale shprehu keqardhjen për ngjarjen dhe bëri të ditur se një prej autorëve është identifikuar dhe po punohet për kapjen e tij dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë tha se Ambasada shqiptare në Mal të Zi është duke ndjekur nga afër të gjitha zhvillimet rreth kësaj ngjarjeje, ndërsa tre shtetasit shqiptarë janë marrë në mbrojtje dhe u është ofruar çdo shërbim i nevojshëm, përfshirë dhe ai ligjor./REL

LAJME TË NGJASHME

Për ne

“EXPOSÉ” i përkushtohet integritetit gazetaresk dhe vlerave të gazetarisë së pavarur. Ne kërkojmë të prezantojmë lajme të balancuara, duke pasur parasyshë përgjegjësinë sociale dhe ndikimit të informacionit në shoqëri.

 

Ne besojmë në fuqinë e gazetarisë për të ndikuar në zhvillimin e shoqërisë dhe për të promovuar transparencën, llogaridhënien dhe të drejtën e lexuesve për të ditur.

@2023 – Të gjitha të drejtat e rezervuara. GAZETAEXPOSE.COM