Home » Sot shpallet vendimi i Apelit në Hagë për Salih Mustafën

Sot shpallet vendimi i Apelit në Hagë për Salih Mustafën

by Arlind Imeri
0 comments

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, vendimi i Apelit për Salih Mustafën, i dënuar me 26 vite burgim për krime lufte, do të shpallet më 14 dhjetor 2023. 

Kjo është bërë e ditur përmes një vendimi të nxjerrë nga trupi gjykues i Apelit me në krye Michele Picard, më 27 nëntor 2023, për caktimin e datës së shpalljes së vendimit për çështjen gjyqësore ndaj Mustafës. 

Aty thuhet se vendimi në këtë rast gjyqësor do të mbahet në seancë publike, duke filluar nga ora 9:30. 

Ndryshe, gjykatësi i Procedurës Paraprake konfirmoi Aktakuzën kundër Salih Mustafës më 12 qershor 2020. 

Mustafa ishte arrestuar dhe u transferuar në Njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020. 

Më 7 maj 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues 

Gjykimi filloi më 15 shtator 2021. Më 4 shkurt 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar mbylli paraqitjen e provave të veta. 

Mbrojtësja e viktimave paraqiti provat e veta më 21 mars. Më 26 maj 2022, Mbrojtja mbylli paraqitjen e provave të veta. 

Deklaratat përmbyllëse u bënë në periudhën 13-15 shtator 2022. 

Aktgjykimi u shpall më 16 dhjetor 2022. Trupi Gjykues e shpalli të akuzuarin fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 26 vjet burgim. Trupi Gjykues e shpalli Mustafa të pafajshëm për krimin e trajtimit mizor. 

Shqiptimi i urdhrit për zhdëmtimin e viktimave u bë më 6 prill 2023. Trupi Gjykues urdhëroi Mustafën të paguajë një shumë të gjithsejtë prej 207.000 euro si kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj viktimave të krimeve. 

Më 2 shkurt 2023, Mbrojtja dorëzoi njoftimin për apel kundër Aktgjykimit. 

Në vijim, kryetarja caktoi Panelin e Gjykatës së Apelit të përbërë nga gjykatësit Mishele Picard, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen. 

Seanca e apelit u mbajt më 26 dhe 27 tetor 2023.

LAJME TË NGJASHME

Për ne

“EXPOSÉ” i përkushtohet integritetit gazetaresk dhe vlerave të gazetarisë së pavarur. Ne kërkojmë të prezantojmë lajme të balancuara, duke pasur parasyshë përgjegjësinë sociale dhe ndikimit të informacionit në shoqëri.

 

Ne besojmë në fuqinë e gazetarisë për të ndikuar në zhvillimin e shoqërisë dhe për të promovuar transparencën, llogaridhënien dhe të drejtën e lexuesve për të ditur.

@2023 – Të gjitha të drejtat e rezervuara. GAZETAEXPOSE.COM