Pas bllokimit të llogarive bankare dhe pas raportimit të Gazetës Expose, aksionari i United Hospital Dr Arben Kojqiqi ka reagur përmes një email të dërguar në redaksi.
Sipas Kojqiqit, ky spital ka tre aksionar përveç Alfred Ibrahimit. Bëhet fjalë për dy kardiokirurgët Arben e Fatos Kojqiqi të cilët tash e disa muaj nuk po lejohen të futën brenda spitalit të tyre pas një vendimi për masë mbrojtëse të caktuar nga Gjykata Komerciale.
Dr. Arben Kojqiqi në reagimin e tij shkruan se nuk ka qenë i informuar se borxhi kishte arritur shifra të tilla deri para pak javësh kur rastësisht ishte njoftuar nga ATK. Kojqiqi tutje shton se përmes një shkrese i kanë kërkuar ATK-së reagim të menjëhershëm pasi që situata mund të përkeqësohet edhe më tutje dhe borxhi mund të rritet.
Ky është reagimi i plotë i Dr. Arben Kojqiqit:
“E nderuara redaksi e Gazetës Expose,
Ju shkruaj në lidhje me publikimin tuaj në lidhje me borxhin e United Hospital ndaj ATK dhe bllokimin e llogarive bankare.
Për të qartësuar, United Hospital ka tre aksionerë. Përveç Alfred Ibrahimit, pronar jam edhe unë, si dhe Dr. Fatos Kojqiqi, të dy kardiokirurg. Është e vërtetë se borxhi i spitalit ka arritur në këto shifra. Rastësisht, disa javë më parë ATK më lajmëroi në lidhje me këtë borxh përmes telefonit, dhe me një letër kam kërkuar nga ATK të ndërhynte urgjentisht për mbledhjen e këtij borxhi nga Alfred Ibrahimi.
Unë dhe Fatos Kojqiqi kemi mbi 7 muaj që na është ndaluar dhunshëm qasja në spitalin tonë, në të cilin kemi investuar mbi 3 milionë euro. Kjo ndodh, gjithashtu, për shkak të ndihmës që Alfred Ibrahimi ka marrë nga Gjykata Komerciale, përmes avokatit të tij, Ibrahimaga. Dëshmitë na sugjerojnë se kjo gjykatë është korruptuar nga zyra e avokatit të tij.
Vendimet skandaloze të kësaj gjykate dhe të tjera që do dalin në dritë me kohë kanë sjellë në një gjendje katastrofale United Hospital. Siç keni deklaruar, spitali u themelua dhe u licencua nga kardiokirurget Kojqiqi, prandaj pritshmëritë ishin të larta. Fatkeqësisht, sot kjo gjendje është e tmerrshme, ku jeta e pacientit rrezikohet çdo ditë aty, ndërsa spitali vazhdon të funksionojë me licencë në emrin tonë, megjithatë ne nuk na lejohet hyrja aty.
Kjo ndodh vetëm në Kosovën tonë të dashur. Në çdo vend tjetër, veprimet e Alfred Ibrahimit do të denoheshin maksimalisht.”
Gazeta Expose ditë më parë kishte raportuar për borxhin e United Hospital që kishte ndaj Adminstratës Tatimore të Kosovës!