Komuna e Fushë Kosovës kishte hapur procedurat e prokurimit për përzgjedhjen e një kompanie e cila do të bënte rregullimin e sheshit imagjinar të Fushë Kosovës.
Ani pse tashmë është përzgjedhur kompania fituese e cila është Lulishtja Buçaj e cila ka fituar këtë tender në vlerë prej 691,464.00 euro, fillimi i punimeve i paraparë për 7 mars duket se është ende larg.
Sipas punëkryesit “Lulishtja Buçaj” punimet nuk kanë filluar ende për shkak që Komuna e Fushë Kosovës ende nuk ka paguar shumën prej 10% të vlerës totale të kontratës pasi që ende nuk ka përfunduar bartja e buxhetit nga viti 2023 tek viti 2024.
Por shpresa se punimet do të fillojnë sipas planifikimeve tashmë është shuar, kjo pasi që Ministria e Financave ka kthyer në rishqyrtim tek Komuna e Fushë Kosovës bartjen e buxhetit.
Sipas burimeve brenda Komunës së Fushë Kosovës, bëhet fjalë për disa gabime që komuna ka bërë në caktimin e kodeve buxhetore, dhe kjo do ta zvarris bartjen edhe për minimalisht një muaj.
ndërsa sipas kontratës, punëkryesi do të mbjellë 1500 drunjë të llojit “Platanus Acerifolia”, e mbjellja e këtyre drunjëve nuk ka të bëjë fare me rregullimin e sheshit pasi që të njëjtat do të shpërndahen nëpër disa rrugë të qytetit ndërsa gjithë projekti i cili është emruar si “Rregullimi i sheshit” ka të bëjë me mbjelljen e këtyre drunjëve.
Është e qartë se Komuna e Fushë Kosovës ka nevoj urgjente që të ketë një shesh, mirëpo deri tani Kryetari Burim Berisha nuk ka arritur të siguroj as vend e as hapsirë për sheshin e Fushë Kosovës.
Deri në gjetjen e kësaj hapsire, Komuna e Fushë Kosovës do të shpenzoj mjete për rregullimin e shesheve imagjinare.