Zyra e Prokurorit në Qarkut të Mesëm të Floridës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka njoftuar se po i ndjek procedurat e ekstradimit të Liridon Masuricës, 33-vjeçarit nga Kosova, që u arrestua në Gjilan nën dyshimin për organizim të tregut kriminal online “BlackDB”.
“Prokurori i Shteteve të Bashkuara Roger B. Handberg njofton ngritjen e aktakuzës dhe arrestimin e Liridon Masurices nga Gjilani, një shtetas i Kosovës i njohur gjithashtu si “BlackDB”. Masurica është arrestuar nga autoritetet në Kosovë. Autoritetet amerikane po ndjekin ekstradimin e Masuricës në Shtetet e Bashkuara, në bazë të traktatit të ekstradimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Masurica akuzohet për mashtrime me pajisje aksesi të rreth 15 pajisjeve. Nëse dënohet për të gjitha akuzat, ai përballet me dënim maksimal prej 55 vjetësh burgim.
Sipas aktakuzës, Masurica ishte administrator i tregut kriminal në internet “BlackDB.cc”, e që funksionon nga viti 2018. Ky treg ka vënë në shitje jashtëligjshëm të dhëna të llogarive dhe serverëve të thyer, të dhëna të kredit-kartelave të personave në SHBA, përfshirë ata të Floridës.
Paraprakisht, Prokuroria Speciale në Kosovë njoftoi se në këtë aksion kanë bashkërenduar edhe autoritetet shqiptare (SPAK-u), ku është arrestuar një person i dyshuar si bashkëpunëtor i dy të dyshuarve nga Kosova.
Të dyshuarit thuhet se kanë themeluar tregun kriminal online “Rydox”, treg i dedikuar për të ofruar, shitur dhe trafikuar produkte dhe shërbime kundërligjore, përfshirë edhe të dhëna personale të shtetasve amerikanë.
Tregu kriminal online thuhet se ka qenë i vendosur në një server në Malajzi, dhe në bashkëpunim me autoritetet e Malajzisë serveri është sekuestruar.
Gjatë operacionit janë sekuestruar kriptovaluta, kompjuterë laptopë, shtëpiza kompjuteri, telefona mobilë dhe pajisje memorizuese.