Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, e ka shpërndarë një postim të zv.ministrit të Arsimit, Taulant Kelmendit, me fjalët: “Në platformën eKosova për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore deri sot në ora 09:00 janë pranuar 51,200 aplikime.”
Ai e ka shoqëruar këtë tekst edhe me thurjet (hashtagët): “transparencë”, “tekstet shkollore” dhe “materialet shkollore”.
Si duket pasi dëgjoi disa kritika në drejtim të tij për fryrjen me numër të aplikimeve, z. Manxhuka e ka bërë një postim tjetër duke u shprehur: “Qenka e mundur të mos përfitohet në emër të librave të fëmijëve. Mbi 50 mijë aplikime në eKosova.”
Megjithatë, zëdhënësi i partisë në pushtet nuk ka treguar se si e nxori një konstatim të tillë thjesht nga fakti që prindërit kanë aplikuar për subvencionim. Ose, që të jemi më të saktë: janë detyruar që të aplikojnë për subvencionim.
Kjo fryrje e pushtetit u kritikua nga analist Imer Mushkolaj që u shpreh në Facebook:
“Numrin e aplikimeve për tekste shkollore, pushteti po e prezanton si sukses. A janë more normalë? Pse, çfarë zgjidhje tjetër iu kanë lënë prindërve, përveç aplikimit? Për besë marre me u krenu me këtë send.”
Kujtojmë se në platformën eKosova janë raportuar probleme teknike nga shumë e shumë qytetarë të ndryshëm që e kanë pasur të pamundur të kyçen.
Nacionale madje e kishte bërë edhe një pyetje në të cilën doli se 79% e lexuesve kishin pasur probleme në aplikimin për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore.
Zv. ministri Taulant Kelmendi ishte fryer edhe më herët me numrin e aplikimeve në eKosova për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore.
Madje, ata e kishin përgatitur edhe një fotografikë ku dukej numri i aplikantëve. Nuk dihet pse pushteti e sheh një gjë të tillë si arritje marrë parasysh që prindërit nuk kanë ndonjë zgjidhje tjetër aktualisht ndërkohë që më herët çështjen e librave shkollorë e kishin të kryer veçse nga ministria.