Prokuroria Themelore e Republikës së Kosovës ka filluar hetimet ndaj pronarit të UBT-së, Edmond Hajrizi, dhe Alfred Ibrahimit, të dyshuar për shkelje të ligjit në veprimet e tyre për marrjen e kontrollit të këtij spitali.
Dr. Arben Kojqiqi, një nga aksionarët kryesorë të “United Hospital” dhe një nga të dëmtuarit kryesorë në këtë rast, u intervistua dje nga prokurori i rastit. Kjo intervistë është hapi i parë në hetimet që po zhvillohen për të hedhur dritë mbi pretendimet e bëra nga Dr Arben Kojqiqi. Kojqiqi akuzon Hajrizajn për mashtrim, hyrje të paautorizuar në pronë dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare, ndërsa Alfred Ibrahimi dyshohet si bashkëpunëtor në këto veprime.
Sipas kallximit penal të dorëzuar në prokurori, bëhet fjalë edhe për kontratën e shitjes së aksioneve nga Alfred Ibrahimi, kontratë kjo e cila asnjëherë nuk është bërë publike. Hezitim për publikimin e kësaj kontrate ka pasur edhe “blerësi” i aksioneve Edmond Hajrizi.
Burime të sigurta brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se gjatë javës së ardhshme do të intervistohen dy të dyshuarit kryesorë, Alfred Ibrahimi dhe Edmond Hajrizi. Po të njëjtat burime sugjerojnë se pas këtyre intervistimeve, pritet arrestimi i Alfred Ibrahimit
Ky hetim, që po zhvillohet, shihet si një përpjekje e rëndësishme për të mbrojtur të drejtat e aksionarëve dhe për të zbatuar me rigorozitet rregullat e qeverisjes korporative. Nga ana tjetër, zgjidhja e këtij rasti pritet të përcaktojë një standard për respektimin e pronës private dhe të drejtave të aksionarëve në sektorin privat në Kosovë.
Vëllezërit Kojqiqi, në kallëzimin e tyre, pretendojnë se Hajrizaj ka hyrë në ambientet e spitalit pa autorizimin e nevojshëm dhe ka përdorur ndikimin e tij për të marrë kontrollin mbi spitalin në kundërshtim me rregullat statutore. Në deklaratën e tyre, ata kanë kërkuar që Prokuroria të ndërmarrë masa të menjëhershme për të garantuar drejtësi dhe për të mbrojtur interesat e aksionarëve të “United Hospital.”