Por çfarë kishte shkruar vetë Ejupi 21 ditë më parë në profilin e tij dhe a kishte paralajmëruar skenarin që ndodhi sot?
Ejupi më 2 gusht kishte shkruar se Autoriteti i Aviacionit Civil është bërë shënjestër e sulmeve nga grupe të caktuara, që nga momenti kur si drejtor ka gjetur keqpërdorime në ACC dhe të njëjtat i ka lajmëruar tek institucionet përgjegjëse.
Në këtë reagim të tij Ejupi kishte listuar më shumë se në dhjetë pika të gjitha punët që kishte arritur t’i kryente dhe denoncimet që kishte bërë për keqpërdorimet e gjetura.
Në këtë postim Ejupi kishte thënë se reagimet negative ndaj kërkesës së tij për ligjshmëri, shfaqin nivelin e ndikimit dhe rezistencën që iu bëhet vendimet të tij për transparencë dhe ndryshime pozitive në ACC.
Më 2 gusht, Ejupi kishte thënë se i vjen keq që si drejtor duhet të përballet me sulme, presione e shantazhe të përditshme.
Bujar Ejupi ishte emëruar drejtor në ACC me propozim të Arban Abrashit në Qeverinë e drejtuar nga Avdullah Hoti në qershor 2020.
Reagimi i plotë i datës 2 gusht:
Autoriteti i Aviacionit Civil është shënjestër e sulmeve nga grupe të caktuara që nga momenti që unë, si Drejtor i përgjithshëm, kam gjetur keqpërdorime në AAC dhe i kam lajmëruar ato tek institucionet përgjegjëse. Pse po ndodhin tani sulme ndaj AAC-së dhe çfarë ka ndodhur që nga emërimi im si Drejtor i Përgjithshëm?
1) AAC së bashku me ASHNA kanë arritur të hapin linja ajrore me Shqipërinë, dhe të kapërcejnë të gjitha pengesat për hapjen e hapësirës ajrore me dy linja të reja që lidhin Kosovën dhe Shqipërinë. Hapja e këtyre linjave pritet të publikohet në Eurocontrol, dhe rruga ajrore me Evropën përfundimisht do të shkurtohet me rreth 30 minuta në çdo fluturim.
2) AAC, së bashku me ASHNA-në për herë të parë do të kenë qasje në sistemin evropian EGNOS, i cili ishte kërkuar prej 10 vitesh. Këtë muaj pritet që EASA të bëjë një vizitë inspektuese që shënon fillimin e qasjes së shtetit tonë në këtë sistem evropian shërbimi.
3) Rastet e sigurisë së aviacionit po trajtohen seriozisht në AAC. Është kërkuar hetim për mbi 110 incidente të raportuara të prishjes së Radarit, dhe mbi 43 humbje të energjisë në pajisjet jetike të navigacionit ajror (Rasti nën hetim nga KHAIA). Në fillim të këtij viti, në hapësirën ajrore të Kosovës kemi pasur një incident të rëndë ajror, ku në dy avionë është aktivizuar sistemi TCAS kundër ndeshjes së këtyre dy avionëve në mes vete. Rasti është raportuar në KHAIA dhe ky rast do të hetohet pa pengesa dhe pa e kursyer askënd.
4) AAC ka raportuar thyerjen e ligjit për tarifat e kerozinës, si pasojë e së cilës janë përfituar mbi 2 milionë euro nga operatori ekonomik. Rasti është paraqitur menjëherë nga AAC në komisionin PPP, pasiqë kërkohen hapa të menjëhershëm për të ndaluar thyerjen e ligjit shumë vjeçar në ANP. AAC për herë të parë ka adresuar hapjen e tregut dhe ka sinjalizuar keqpërdorimin me monopolin e shitjes se kerozinës në aeroport.
5) Menaxhmenti i AAC rishtazi ka vërejtur se tarifat tejet të larta të aeroportit nuk ishin aprovuar asnjëherë në të kaluarën nga AAC. Pra, edhe pse AAC-ja është e detyruar me ligj të miratojë dhe rregullojë tarifat e aeroportit, këto tarifa nuk janë trajtuar asnjëherë nga AAC, si pjesë e përgjegjësisë së Departamentit për Rregullim Ekonomik
6) Inspektorëve të AAC-së u është kërkuar të ndalin zhvillimin e aktiviteteve për operatorët që ata mbikëqyrin, për të shmangur konfliktin e interesit.
7) AAC ka raportuar në Policinë e Kosovës dhe në Departamentin e Krimeve Ekonomike për manipulimin/falsifikimin e licencave të kontrollorëve të trafikut nga zyrtarë të AAC-së.
😎 AAC ka anuluar kontratën e qirasë së AAC-së dhe ka kaluar në objekt shtetëror, duke kursyer buxhetin shtetëror në vlerë të mbi 40 mijë euro në vjet.
9) AAC ka raportuar në prokurori rastet e keqpërdorimit të dhjetëra mijëra euro, pagesa që sipas kontratës i takonin qiradhënësit dhe që janë paguar nga AAC.
10) AAC ka inkurajuar respektimin dhe detyrimet nga marrëdhënia e punës, siç përcaktohen me Ligjin nr. 03/L-212 të punës dhe kontratës. Gjithashtu, personeli është inkurajuar që orarin e punës në këtë institucion shtetëror ta përdorin për punët dhe përgjegjësitë që derivojnë nga kontratat me AAC, dhe jo për punë të dyta apo të treta.
11) AAC-ja ka ndaluar dhe ka raportuar në prokurori rastet e pagesave të larta pa bazë ligjore si dhe pa kualifikimet e nevojshme.
12) AAC ka raportuar në prokurori për keqpërdorim të detyrës nga zyrtarë të AAC. Rastet për keqpërdorimet e buxhetit në formë të meditjeve apo të mbulimeve të shpenzimeve personale të kategorizuara si udhëtime zyrtare janë dërguar në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), e cila pas konstatimit se ka elemente të veprës penale e ka dërguar rastin në prokurori.
13) AAC-ja ka raportuar në prokurori avancimet në detyrë në kundërshtim me ligjet në fuqi, në rastet kur zyrtarë të ndryshëm kanë përfituar rritje të pages pa ndryshime në përshkrimin e detyrave të punës.
14) AAC ka filluar të zbatoj politika jo-toleruese për krijimin dhe egzistimin e pozitave të paligjshme, të departamenteve me vetëm një drejtor, dhe pa asnjë punëtor!
15) AAC ka filluar me zbatimin e politikave promovuese për profesionistë, me sfond dhe shkollim profesional në aviacion të cilët po përfshihen në marrjen e përgjegjësive duke u bazuar vetëm në arritjet e tyre si Profesionale ashtu edhe edukative.
16) AAC ka dërguar draft rregulloren e mbrendshme në MPB dhe në bashkëpunim me këtë ministri, do të finalizoj rregulloren sipas dispozitave ligjore të zbatueshme për shërbyesit Civil.
17) Me kërkesë te AAC, dhe me përkrahje të KFOR dhe ICETRA, do të realizohen auditime të sigurisë në AAC dhe ASHNA dhe do të identifikohen fushat e nevojshme për përmirësim dhe arritje te standardeve ndërkombëtarë te Aviacionit Civil.
Raportet e EASA dhe ICETRA të keqinterpretuara qëllimisht nga persona/palë të caktuara, në asnjë rrethanë nuk flasin për një AAC jo funksionale, por për nevojën për përmirësim te vazhdueshëm dhe për vazhdimin e reformave tashmë të nisura në AAC.
Reagimet negative ndaj kërkesës sime për ligjshmëri, si drejtor I institucionit të AAC, shfaqin nivelin e ndikimit dhe rezistencën që përballen përpjekjet e mija për të sjellë transparencë dhe ndryshim pozitiv në këtë institucion dhe çojnë në largimin e qëllimshëm të fokusit nga aspekti profesional mbikëqyrës i AAC-së drejtë temave fiktive dhe tendencioze lidhur me pozitën time si drejtor i përgjithshëm.
Si drejtor i AAC, më vjen keq që duhet të përballem me sulmet, presionet dhe shantazhet e përditshme.