Politika nuk duhet të ketë fansa, por përkrahës të bindur në programin dhe vizionin që ofron një parti politike. Mbështetja politike duhet të bazohet në interesin e përbashkët dhe në angazhimin për një qëllim të përbashkët, që është zhvillimi dhe konsolidimi i shtetit tonë.
Ka kaluar koha e populizmit. Premtimet politike nuk duhet të trajtohen si retorikë zgjedhore, por si obligime dhe detyrime për çdo person që merr përgjegjësinë e qeverisjes. Qeverisja nuk është privilegj, por barrë dhe përgjegjësi e drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve. Çdo udhëheqës ka një detyrë të qartë: të shërbejë dhe të garantojë të mirën e përbashkët, e jo të përdorë pushtetin si instrument për përfitime personale apo si mjet për mbijetesë politike.
Fatkeqësisht, të rinjtë tanë vazhdimisht po ekspozohen ndaj modeleve të gabuara të lidershipit, ku politika shpesh shihet si karrierë përfitimi, e jo si mision shërbimi. Ky cikël duhet të thyhet. Lidershipi ynë ka një përgjegjësi të madhe në formësimin e modelit të liderit modern në Kosovë, një lideri që reflekton vlera, vizion dhe transformim real në mënyrën e qeverisjes dhe politikëbërjes.
Ne nuk kemi nevojë për liderë të konsumuar nga e kaluara, por për liderë të rinj, të guximshëm, me integritet dhe aftësi për të ndërtuar institucione të qëndrueshme dhe politika të orientuara drejt së ardhmes. Vetëm përmes këtij modeli, Kosova mund të ecë përpara dhe të ndërtojë një demokraci funksionale dhe të fortë, të denjë për të qenë pjesë e familjes europiane.
Politika nuk është një arenë emocionesh të përkohshme, por një angazhim i gjatë dhe i qëndrueshëm për të mirën e shtetit dhe të qytetarëve. Prandaj, është koha për ta ngritur nivelin e lidershipit dhe për ta orientuar atë drejt një modeli të ri politik, të bazuar në besim, përgjegjësi dhe profesionalizëm të vërtetë.