Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, ka deklaruar se edhe sot përpjekja për konstituimin e Kuvendit ka dështuar, duke shprehur keqardhje për mungesën e një rezultati konkret që do t’i jepte fund gjendjes së bllokuar institucionale.
“Dua të shpreh keqardhje që edhe sot nuk kemi rezultat për zhbllokimin e gjendjes,” tha Peci gjatë deklarimit të tij në hollin e Kuvendit.
Ai theksoi se Kuvendi ende nuk ka arritur as në fazën e propozimit të emrit për kryetar, pasi paraprakisht duhet të votohet për krijimin e Komisionit që do të mundësonte një proces të votimit të fshehtë – ashtu siç është përcaktuar edhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014.
“Ne e kemi një proces të votimit të fshehtë, dhe ky është i qartë edhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese,” shtoi Peci, duke iu referuar detyrimeve kushtetuese që sipas tij, po respektohen nga shumica parlamentare. / RTV DUKAGJINI