Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur zhgënjimin e saj ndaj Bashkimit Europian gjatë pjesëmarrjes në Samitin e Komunitetit Politik Evropian që po mbahet në Tiranë.
Në një deklaratë të drejtpërdrejtë për mediat, Osmani ka thënë se BE-ja po jep sinjale të gabuara për rajonin, duke lënë jashtë Kosovës dhe duke shpërblyer vendet që ruajnë lidhje me Moskën.
“Ka një bllokadë totale nga ana e BE-së, nuk vlerësohet puna jonë, nuk vlerësohen reformat e ndërmarra, nuk vlerësohet fakti që ne jemi 100% me politikat e tyre sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë, por edhe politikave të tjera. Për fat të keq po jepet një mesazh shumë i keq për rajonin tonë. Më shumë po iu hapet dera atyre që shkojnë në Moskë te Putini sesa për ne që nuk shohim rrugë dhe alternativë tjetër veç BE-së”, ka thënë Osmani.
Presidentja theksoi se Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së dhe ka një vit që pret heqjen e masave ndëshkuese të vendosura ndaj saj.
Ajo shtoi se në këtë samit nuk do të ketë takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, pasi takimet e tilla zhvillohen në Bruksel.
“Nuk ka takim në samit me Vuçiç. Takimet dypalëshe zhvillohen në Bruksel. Ne synojmë të takohemi me ata liderë që t’i bindim të heqin masat e padrejta ndaj Kosovës. Ky samit që mbahet në Tiranë i jep një zë dhe më të fuqishëm rajonit tonë. Edhe që të flasim për heqjen e masave të padrejta ndaj Kosovës. Siç e përmenda edhe për njohjen nga vendet që nuk e kanë njohur. Të gjitha kërkesat e BE ne i kemi plotësuar dhe kemi një vit që presim përgjigje. Nuk e kemi krijuar ne situatën në veri, dhe i kemi ndërmarrë masat e kërkuara”, ka shtuar Osmani.