Home » Myzejene Selmani: Qeveria po shantazhon kompanitë ajrore

Myzejene Selmani: Qeveria po shantazhon kompanitë ajrore

by Gazeta Expose
0 comments

Në një status të publikuar në rrjetin social Facebook, ish-deputetja dhe anëtarja e bordit të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Myzejene Selmani, ka ngritur akuza të ashpra ndaj qeverisë për, siç thotë ajo, keqmenaxhim dhe ndërhyrje politike në sektorin e aviacionit civil.

Sipas Selmanit, qeveria ka demonstruar një qasje të papranueshme ndaj aviacionit civil që nga bllokimi i fluturimit të Presidentit Behgjet Pacolli. Ajo e cilëson këtë akt si një “veprim të tmerrshëm dhe të pajustifikueshëm profesionalisht,” por shton se pasojat e kësaj mendësie janë duke u reflektuar edhe më gjerësisht në menaxhimin e fluturimeve komerciale.

“Qeveria nuk ndalet me kaq – tani po bllokon edhe aeroplanët komercialë. Me qindra udhëtarë kanë mbetur të bllokuar në terminalet e aeroportit dhe rrugëve, pasi shumë fluturime janë anuluar për shkak të mjegullës,” shkruan Selmani, duke nënvizuar faktin se Kosova ka investuar 35 milionë euro në një sistem të avancuar navigimi, që mundëson uljen e aeroplanëve edhe në kushte të mjegullës.

Por Selmani shton një tjetër akuzë të rëndë, duke pretenduar se ky sistem po favorizon kompani të lidhura me qeverinë. “Ky sistem i navigimit vleka vetëm për kompanitë që Vetëvendosje i ka kushtëzuar të bartin votuesit e saj falas gjatë zgjedhjeve të shkurtit. Ndërkohë, kompanitë e tjera po shantazhohen dhe po pengohen që të zbresin në Aeroport,” thekson ajo.

Ish-deputetja e quan këtë situatë një “kapje politike” të aviacionit dhe paralajmëron për pasoja të mëtejshme. Ajo apelon që qytetarët të mos e injorojnë këtë situatë, duke kujtuar rastin e Presidentit Pacolli si një shembull i asaj që mund të ndodhë kur politikat partiake dominojnë mbi interesat publike.

“Kur pushteti fillon t’i trajtojë fluturimet sipas preferencave partiake, kjo tregon për tmerrin dhe kapjen nga kjo qeveri,” shkruan Selmani, duke përmbyllur me një thirrje për ndërgjegjësim publik: “Ndoshta për rastin e Presidentit Pacolli qytetarët nuk reaguan, por a po e shihni tani se ku të çon një mendësi e tillë e bllokimit politik të fluturimeve?”

LAJME TË NGJASHME

Për ne

“EXPOSÉ” i përkushtohet integritetit gazetaresk dhe vlerave të gazetarisë së pavarur. Ne kërkojmë të prezantojmë lajme të balancuara, duke pasur parasyshë përgjegjësinë sociale dhe ndikimit të informacionit në shoqëri.

 

Ne besojmë në fuqinë e gazetarisë për të ndikuar në zhvillimin e shoqërisë dhe për të promovuar transparencën, llogaridhënien dhe të drejtën e lexuesve për të ditur.

@2023 – Të gjitha të drejtat e rezervuara. GAZETAEXPOSE.COM