Pas përfundimit të seancës së dështuar të Kuvendit të Kosovës, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka mbajtur një konferencë për media ku ka bërë të qartë se partia e tij nuk do ta mbështesë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit.
“Nuk e votojmë Albulena Haxhiun për kryetare. Vetëvendosje duhet ta ndryshojë kandidatin, sepse ka deputetë brenda VV-së që mund të marrin 61 vota dhe të zhbllokohet situata,” deklaroi Krasniqi para gazetarëve.
Kjo deklaratë vjen në një moment kritik për Kuvendin, pasi Haxhiu mori vetëm 57 vota në votimin e sotëm, duke dështuar të zgjidhet në krye të institucionit. Krasniqi shtoi se PDK është e interesuar për zhbllokimin e funksionimit të Kuvendit, por kërkoi nga Vetëvendosje të jetë më pragmatike në propozimin e kandidaturave.