Home » Lufta e heshtur mes banorëve dhe ndërtuesve: Rruga ‘Tahir Zemaj’ në kaos!

Lufta e heshtur mes banorëve dhe ndërtuesve: Rruga ‘Tahir Zemaj’ në kaos!

by Gazeta Expose
0 comments

Rruga që mban emrin e Heroit Kombëtar, Tahir Zemaj, sot është kthyer në simbol të mungesës së përkujdesjes dhe keqmenaxhimit institucional. E shndërruar në një deponi mbeturinash nga ndërtuesit që po ndërtojnë objekte në këtë zonë, kjo rrugë është bërë pothuajse e pakalueshme për këmbësorët, duke sfiduar jetesën e banorëve të saj.

Banorët shprehen të lodhur nga neglizhenca e Komunës së Fushë-Kosovës, që pavarësisht ankesave të shumta, nuk ka ndërmarrë asnjë masë për sanimin e gjendjes. Sipas tyre, kjo situatë nuk është rastësi, por një formë presioni për t’i detyruar ata të dorëzojnë pronat për ndërtim të lartë.

“Po duan të na detyrojnë t’i japim shtëpitë për ndërtim të lartë! Jemi duke dalë me dy palë këpucë, një palë për të kaluar këtë rrugë, ndërsa të tjerat për të shkuar në punë,” tha një banor i revoltuar për Gazeta Expose.

Zvarritje institucionale dhe përgjigje të paqarta

E kontaktuar nga Gazeta Expose, Komuna e Fushë-Kosovës nuk ofroi përgjigje konkrete. Drejtori i Infrastrukturës, Bardhyl Kojqiqi, refuzoi të prononcohet, duke deleguar përgjegjësinë te nënkryetari i komunës, Besnik Osmani.

Osmani pranoi se gjendja e rrugës është alarmante, por justifikoi mungesën e ndërhyrjeve me faktin se zona ndodhet në proces ndërtimi. “Është e vërtetë që gjendja është e rëndë në atë rrugë, por nuk është fare në projekt investimi, pasi që është zonë në ndërtim,” deklaroi ai.

I pyetur nëse banorët po përballen me presion për të liruar pronat e tyre, Osmani mohoi kategorikisht këtë pretendim, por nuk ofroi alternativa për zgjidhjen e situatës aktuale.

Banorët mes harresës dhe presionit të heshtur

Për banorët e zonës, kjo situatë është më shumë sesa një problem infrastrukture – është një përpjekje për t’i zhvendosur ata përmes kushteve të papranueshme të jetesës. Një rrugë që mban një emër kaq të rëndësishëm historik është lënë në harresë totale, duke reflektuar qasjen e papërgjegjshme të autoriteteve lokale.

Mbetet për t’u parë nëse institucionet do të marrin masa konkrete për të zgjidhur këtë situatë, apo nëse rruga “Tahir Zemaj” do të vazhdojë të simbolizojë moskokëçarjen për qytetarët dhe presionin e heshtur për përfitime private.

LAJME TË NGJASHME

Për ne

“EXPOSÉ” i përkushtohet integritetit gazetaresk dhe vlerave të gazetarisë së pavarur. Ne kërkojmë të prezantojmë lajme të balancuara, duke pasur parasyshë përgjegjësinë sociale dhe ndikimit të informacionit në shoqëri.

 

Ne besojmë në fuqinë e gazetarisë për të ndikuar në zhvillimin e shoqërisë dhe për të promovuar transparencën, llogaridhënien dhe të drejtën e lexuesve për të ditur.

@2023 – Të gjitha të drejtat e rezervuara. GAZETAEXPOSE.COM