Home » “Kosova në pozitë më të keqe”; “Serbia më e favorizuar”: Pse viti 2024 pritet të prodhojë paqartësi shtesë në dialog?

“Kosova në pozitë më të keqe”; “Serbia më e favorizuar”: Pse viti 2024 pritet të prodhojë paqartësi shtesë në dialog?

by Gazeta Expose
0 comments

Viti 2024 nuk pritet të jetë aspak i lehtë për Kosovën në raport me dialogun me Serbinë. Përfaqësuesit institucionalë dhe njohësit e rrethanave politike kanë bërë me dije se ky vit do të jetë më i ndërlikuar se viti paraprak.

Disa zhvillime ndërkombëtare, sipas tyre, do të bëjnë që Kosova në këtë proces të jetë në pozitë më të keqe, kurse Serbia më e favorizuar.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka pranuar se ky vit nuk do të jetë i lehtë.

Ai ka vlerësuar se në këtë proces do të kenë ndikim tri ngjarje.

“Mendoj se viti 2024 do të jetë vit më i ndërlikuar se viti 2023. Në kuptimin botëror. Pse? Mendoj, se përtej agresionit rus mbi Ukrainën dhe deri të kjo që po ndodh në Lindjen e Mesme, tri ngjarje do ta definojnë relacionin tonë, sidomos me Bashkimin Evropian dhe këto do të kenë ndikim edhe në procesin politik të relacionit mes Kosovës dhe Serbisë. Në maj janë zgjedhjet evropiane dhe kjo do ta ridefinoj Parlamentin Evropian”, ka thënë Konjufca në një intervistë në “Rubikon”.

Ai ka bërë me dije se gjerat do të komplikohen edhe më shumë nëse forcat ekstreme politike do të fuqizohen.

“Negative do të ishte nëse forcat e ekstremit të djathtë edhe të majtë në Evropë e rrisin hapësirën e tyre. Nëse e rrisin hapësirën e tyre dhe i marrin pastaj disa pozita kyçe në Komisionin Evropian, atëherë mendoj se do të ketë një impakt negativ edhe në Kosovës”, ka thënë Konjufca.

Ngjarja e dytë që do të ketë ndikim në këtë proces, sipas Konjufcë, është marrja e presidencës së BE-së nga Hungaria, që do të ndodh më 1 qershor të këtij viti.

Kryeparlamenatri ka vlerësuar se ngjarja e tretë që pritet të ndikojë në dialogun Kosovë-Serbi jenë zgjedhjet në ShBA.

Edhe ish-diplomati britanik, Timothy Less, ka bërë me dije se viti 2024 do të jetë më sfidues për Kosovën në raport me dialogun me Serbinë.

Ai ka vlerësua se Kosova do të jetë në pozitë më të keqe gjatë këtij vit.

“Mendoj se Kosova do të jetë në një pozitë më të keqe në fund të vitit 2024 se tani. BE-ja dhe SHBA-ja janë të prirura të sigurojnë një marrëveshje për normalizimin në muajt e parë të vitit dhe, në masën që Kosova reziston, do të përballet me presion të mëtejshëm ndërkombëtar”, ka thënë Less në një intervistë për “Express”.

Sipas tij, zgjedhjet në shumë vende të botës do ta favorizonin Serbinë në procesin e dialogut.

“Kjo do të pasohet nga një valë zgjedhjesh që do ta favorizojnë Serbinë, duke përfshirë zgjedhjet për Parlamentin Europian që do ta favorizojnë partitë nacionaliste-konservatore, zgjedhjet në Rusi që do ta kthejnë President Putinin dhe zgjedhjet në SHBA, të cilat, nëse sondazhet janë të sakta, do ta shohin Donald Trumpin të kthehet në Shtëpinë e Bardhë. Ekziston gjithashtu mundësia e një qeverie të re të djathtë në Holandë dhe një kolaps i qeverisë në Gjermani, me kalimin e pushtetit në të djathtën politike”, është shprehur ai.

Ish-diplomati britanik ka thënë se rikthimi i mundshëm i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë mund ta rikthej edhe idenë e shkëmbimit të territoreve.

“Kjo nënkupton një ringjallje të ndarjes që ne e njohim që nga mandati i tij i fundit si zgjidhja e Donald Trump për mosmarrëveshjen e Kosovës, këtë herë me mbështetjen e gjerë të europianëve. Ndërkohë, Serbia do të ketë më shumë liri për të shtyrë për këtë rezultat, nëse është e nevojshme, me mjete shtrënguese, duke pasur parasysh rrezikun në rënie që vendi do të sanksionohej për këtë”, ka vlerësuar ai.

Paqartësi shtesë

As ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea, nuk pret që Kosova ta ketë më lehtë në procesin e dialogut gjatë viti 2024.

Ai ka thënë se zhvillimet që pritët të ndodhin do ta komplikojnë procesin.

“Me përfundimin e vitit 2023, dialogu Kosovë-Serbi ka bërë disa përparime, por nuk ka arritur përparimin vendimtar për normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen formale serbe të Kosovës që ne kishim shpresuar. Dhjetori dëshmoi gjithashtu fitoren e partisë së Vuçiqit në zgjedhjet serbe (edhe pse me shumë akuza për parregullsi zgjedhore) dhe kjo nuk sugjeron për fat të keq që Dialogu do të bëhet papritur më i lehtë në vitin 2024”, ka thënë Shea.

Edhe analisti Visar Ymeri ka paralajmëruar se gjatë këtij viti procesi do të sjell paqartësi shtesë.

Ai ka bërë me dije se disa zhvillime ndërkombëtare do ta kenë ndikimin e vetë në këtë proces.

“Gjatë këtij viti për shkak të luftës në Ukrainë, luftës në Lindjen e Mesme, si dhe për shkak të zgjedhjeve në BE dhe në ShBA në vjeshtë jemi duke hyrë në një situatë politike globale shumë më të pa parashikueshme. Dhe në këtë drejtim zvarritja e procesit të dialogut mund të prodhojë paqartësi shtesë për Kosovën”, ka shtuar Ymeri për “Front Online”.

LAJME TË NGJASHME

Për ne

“EXPOSÉ” i përkushtohet integritetit gazetaresk dhe vlerave të gazetarisë së pavarur. Ne kërkojmë të prezantojmë lajme të balancuara, duke pasur parasyshë përgjegjësinë sociale dhe ndikimit të informacionit në shoqëri.

 

Ne besojmë në fuqinë e gazetarisë për të ndikuar në zhvillimin e shoqërisë dhe për të promovuar transparencën, llogaridhënien dhe të drejtën e lexuesve për të ditur.

@2023 – Të gjitha të drejtat e rezervuara. GAZETAEXPOSE.COM