Home » I gjashti tentim i VV-së për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit Albulena Haxhiun

I gjashti tentim i VV-së për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit Albulena Haxhiun

by Gazeta Expose
0 comments

Ditë e re, nafakë që dihet – Albulena Haxhiu sot thirret si emër sërish nga Vetëvendosje për Kryetare të Kuvendit, pa pasur asnjë ndryshim numerik në fatin e përzgjedhjes së saj. 

Sot vazhdon seanca konstitutive e Kuvendit të Kosovës nga ora 10:00, ndërsa palët s’kanë lëvizur as një gorhs nga qëndrimet e etabluara. 

Vetëvendosja s’e heq emrin e Haxhiut, anipse s’i ka votat – partitë tjera politike kërkojnë heqjen e emrit të saj nga propozimi për Kryetar të Kuvendit. 

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është shprehur e vullnetshme për tjera emra nga radhët e VV-së, emra më të pranueshëm si Shqipe Selimi apo Saranda Bogujevci. 

Partia Demokratike e Kosovës, po ashtu, kaherë ka lënë të kuptohet se do të mund të votonte për ndokë nga Vetëvendosje që është më i pranueshëm – i.e Memli Krasniqi s’e pati përjashtuar se do ta votonin Glauk Konjufcën për Kryetar Kuvendi. 

Lidhja Demokratike e Kosovës në terma të plotë refuzues, ka thënë se asnjë kandidat nga Vetëvendosje për ta s’është i pranueshëm dhe se rrjedhimisht s’kanë votë për ta. 

Nisma Socialdemokrate, e cila supozohet të jetë as-as, edhe-edhe, për Vetëvendosjen – ka abstenuar me tri votat e saj karshi Albulena Haxhiut – çka është raportuar pafund se vetë Fatmir Limaj synon postin e kryeparlamentarit. 

Por, Limaj u shfaq të ndërrojë diskurs para dy ditësh kur tha se duket qartazi se VV “nuk i ka numrat” dhe se në këto rrethana “duhet të lëshojë rrugë”. 

Nga Vetëvendosje, për synimet e Limajt për kryeparlamentar, kanë thënë se “ka marrë fund ajo punë”, kur është propozuar emri i Haxhiut. 

Mefail Bajqinovci nga VV tha ditë më parë në “Kanal 10” se për një koalicion eventual me Nisman mund të ketë aranzhime ministrore, por se nuk bëhet fjalë për postin e udhëheqjes së legjislativit. 

Në anën tjetër, Vetëvendosja e pa numra, kërkon nga opozita “të reflektojë” dhe t’ua votojnë propozimin e tyre: Albulena Haxhiun. 

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, nuk deklarohet që kohë për media duke çarë mespërmes gazetarëve pa përgjigje nëse mund të ndërtojë shumicë parlamentare. 

LAJME TË NGJASHME

Për ne

“EXPOSÉ” i përkushtohet integritetit gazetaresk dhe vlerave të gazetarisë së pavarur. Ne kërkojmë të prezantojmë lajme të balancuara, duke pasur parasyshë përgjegjësinë sociale dhe ndikimit të informacionit në shoqëri.

 

Ne besojmë në fuqinë e gazetarisë për të ndikuar në zhvillimin e shoqërisë dhe për të promovuar transparencën, llogaridhënien dhe të drejtën e lexuesve për të ditur.

@2023 – Të gjitha të drejtat e rezervuara. GAZETAEXPOSE.COM