Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, e ka përsëritur të hënën kërkesën ndaj Qeverisë së Kosovës për shtyrje të vendimit për zbatim të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
Ai i ka bërë këto deklarata, pas një takimi që ka zhvilluar të hënën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe diplomatë tjerë të huaj.
Rregullorja e BQK-së – që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt – parasheh që valuta e vetme për kryeje të pagesave në Kosovë të jetë euroja.
Kështu, serbëve të Kosovës u pamundësohet përdorimi i dinarit.
“Ne natyrisht se përkrahim përpjekjet për të shmangur krimet financiare, shpëlarjen e parave, financimin e terrorizmit dhe të ngjashme, por ne kemi shqetësime të thella për mënyrën e zbatimit të kësaj rregulloreje, pasi besojmë se nuk i merr parasysh disa shqetësime të komuniteteve”.
I pyetur nëse Qeveria amerikane mund të marrë veprime kundër Kosovës, nëse nuk i përgjigjet kësaj kërkese, Hovenier ka thënë se “shpresojmë që Qeveria të jetë partnere me ne”, duke shtuar që nëse ndodh e kundërta, kjo gjë “do të ketë ndikim në kualitetin e partneritetit tonë”
Hovenier ka thënë se ndonëse Shtetet e Bashkuara e mirëpresin vendimin e Kosovës për respektim të Kushtetutës së vendit, SHBA-ja beson që duhet të ketë periudhë edukuese për rregulloren e re.
Kur është pyetur për reagimin e Qeverisë ndaj kërkesës së tij dhe faktorit ndërkombëtar, Hovenier ka thënë se “do t’i lë ata të flasin” në këtë drejtim.
SHBA-ja Bashkimi Evropian dhe mekanizma tjerë, e kanë kritikuar që disa ditë Qeverinë e Kosovës për mosshtyrje të zbatimit të rregullores.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është zotuar se do të sigurohet tranzicion i lehtësuar.
Hovenier ka thënë se shpreson që në këtë periudhë tranzitore të merren parasysh shqetësimet e faktorit ndërkombëtar.