Strukturat paralele serbe në Kosovë kanë arritur të futen në objekte shkollore që menaxhohen nga Republika e Kosovës.
Por këto struktura ani pse e shfrytëzojnë infrastrukturën e shkollës, ata punojnë dhe mësojnë me planprogram të Serbisë.
Kjo gjë po ndodh në Komunën e Fushë Kosovës. Objekti i shkollës që gjendet 50 metra larg nga ai i Komunës, i mban dy emra.
Për shqiptarët, shkolla mban emrin “Daut Bogujevci” ndërsa për serbët “Aca Marovič”!
Siç mëson redaksia e gazetës “EXPOSE”, drejtoresha dhe disa mësimdhënës janë nga komuniteti serb, por nxënësit ishin thuajse të gjith nga komuniteti romë e ashkali. “Për ta mbajtur “gjall” kë sistem paralel të shkollës, si duket serbët po manipulojnë apo përmes pagesave po i mbajnë këta romë e ashkalinjë në sistemin paralel serb”, na tha në kushte anonimiteti një mësimdhënës në atë shkollë.
Ata nxënës që takojë gazetari i “EXPOSE” deri sa qëndroi në ato ambiente ishin romë dhe ashkalinj, të cilë nuk hezituan të tregojnë edhe librat që u vijnë nga Beogradi, e me të cilat mësojnë.
Duke shfletuar ato libra hasëm se në historinë në gjuhën serbe të klasës së shtatë, fëmijët mësojnë se si shqiptarët i kanë sulmuar vazhdimisht serbët me qëllim që t’i shpërngulin nga Kosova dhe se shqiptarët janë prezantuar si plaçkitës të kishave ortodokse.
Ndërsa, në historitë për klasat e pesta thuhet se ilirët, (paraardhësit e shqiptarëve), ishin plaçkitës.
Drjetoresha e shkollës nuk pranonte të fliste pasi sipas saj nuk e njohin sistemin e arsimit të Republikës së Kosovës.
Por si ndodhi që sistemi paralel serb të futet në një objekt shkollorë që funksionon sipas ligjeve të Republikës së Kosovës?
Zyrtarisht nga drejtoria e Arsimit në Komunën e Fushë Kosovës nuk dashën të prononcohen, por e pranuan se ekziston një marrveshje mes Komunës, por me kë është lidhur marrveshja nuk sqaronin.
Deri sa të zbardhet marrveshja dhe të jetë transparente për publikun, edhe këtë 1 shtator kjo ishte atmosfera në këto shkolla.