Një ngjarje të trishtueshme në “United Hospital”, ka përjetuar pacientja A.B, 66-vjeçare (emër i njohur për redaksinë), e cila ka përjetuar një përvojë të shqetësuese gjatë procedures së koronagrafisë.
Deri sa ajo në United Hospital ishte paraqitur në gjendje stabile shëndetësore, gjendja e saj ishte komplikuar gjatë procesit të koronografisë me ç’rast ky komplikim kërkonte që A.B të futet në sallën e operacionit me urgjencë. Por u zbulua se në spital mungonte stafi i nevojshëm, duke përfshirë anesteziologun dhe personelin e instrumentacionit.
Përballur me këtë situatë të papritur, pacientja u dërgua menjëherë me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për t’u nënshtruar operacionit të domosdoshëm.
Ekipi i gazetës EXPOSE, ka vizituar pacienten në QKUK, ku vajza e znj. Baftiu, ka konfirmuar e gjithë ngjarjen, por pa dashur të lëshohet në detaje.
Kjo ngjarje ka rënduar thellësisht publikun dhe ka ngritur pyetje të forta lidhur me sigurinë dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor në “United Hospital”.
Pacientja tani po rimëkëmbet në QKUK, ndërsa autoritetet e shëndetit do të duhej të hetojnë rastin për të zbuluar arsyet e mungesës së stafit në “United Hospital” dhe për të siguruar që këto ngjarje të shmangen në të ardhmen.