Një vendim i Ministrisë së Arsimit që paratë për blerjen e librave t’u deponohen prindërve, ka shkaktuar reagime të mëdha. Ka pasur reagime nga partitë në opozitë, analistë e njohës të arsimit.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se mbi 300 familje kosovare do të detyrohen të blejnë libra, pa e pasur të konfirmuar se do të rimbursohen.
“Skandali nuk po ia pret skandalin kësaj Qeverie. Tani, përveç rritjes së kostos së jetesës, përmes rritjes së çmimit të energjisë e produkteve bazike ushqimore, papunësisë e korrupsionit masiv, prindërit e rënduar ekonomikisht nga keqqeverisja e këtij pushteti duhet që të blejnë edhe librat për fëmijët e tyre”, ka shkruar Krasniqi.
“Mbi 300 mijë familje kosovare do të detyrohen t’i blejnë librat për fëmijët e tyre – të pasigurt nëse ndonjëherë do t’u rimbursohen ato të holla. Këtë çështje e kishte zgjidhur rreth 15 vite më parë ish-kryeministri Hashim Thaçi, duke u lehtësuar sadopak barrën e shkollimit të fëmijëve prindërve kosovarë, përmes sigurimit të librave falas”, ka thënë kryetari i PDK-së.
Sipas tij, qytetarët duhte të zgjedhin mes ushqimit apo shkollimit të fëmijëve.
“Fjalët janë të mira, por qeverisja bëhet me punë, përgjegjësi e dije. Sot, fatkeqësisht, qytetarët po detyrohen të zgjedhin në mes të tatimeve, sigurimit të ushqimit apo shkollimit të fëmijëve. Me këtë lloj qeverisje, Albin Kurti vetëm sa po kontribuon në thellimin e varfërisë së qytetarëve dhe rritjes së numrit të emigrantëve kosovarë”, ka shkruar Memli Krasniqi.
Reagimi ka qenë i ashpër edhe nga deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami. Kjo e fundit ka thënë se çka ndodh nëse mjetet e Ministrisë nuk mjaftojnë.
“Çka nëse mjetet financiare që i shpërndan MASHT-i për këtë qëllim nuk do të mjaftojnë? Çka nëse s’ka libra mjaftueshëm në treg për nxënësit? Mungesat e librave në treg do të jenë të paevitueshme sepse shtëpitë botuese nuk do të printojnë libra pa u siguruar që do të ketë kërkesë, e kërkesa e prindërve do të dallojë nga ajo e MASHT-it. Kush garanton se këto shtëpi botuese kanë me ulë çmimin në rast se librat blihen nga prindërit? Kush e përcjellë tregun? Kush e monitoron furnizimin me libra të fëmijëve? Çka nëse kalojnë disa javë ose edhe muaj dhe nxënësit nuk arrijnë të furnizohen me të gjitha librat?”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka përmendur faktin e grevës vitin e kaluar, kurse këtë vit ka thënë se nxënësit kanë mbetur pa libra.
“Vitin e kaluar fëmijët tanë e kanë humbë një muaj mësim dhe askush nuk ka marrë përgjegjësi. Ministre, mos i merr në qafë fëmijët sepse kanë humbur një muaj mësim vitin e kaluar. Mos i lë fëmijët pa libra se këtë nuk ta kanë borxh”, ka shkruar Hykmete Bajrami.
E drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka thënë se mësimi mund të vonohet.
“DKA-të nuk janë të informuara fare për këtë çështje dhe kjo tregon se tekstet shkollore mund të vonohen akoma më shumë dhe që kjo të ketë pasoja në një fillim të mbarë të vitit të ri shkollor! Nuk kemi informata lidhur me rregullimin ligjor të kësaj çështje. Ne jemi në dijeni se MASHTI e ka obligim Ligjor që t’I siguroj tekstet shkollore për nxënësit që vijojnë mësimin e obliguar. Kush garanton se mjetet do të shpërndahen saktë në llogaritë e prindërve kur dihet se shumë prindër mund të mos kenë llogari bankare?”, ka thënë Ibrahimi për Nacionalen.
Analisti Imer Mushkolaj ka thënë se për ta kuptuar menaxhimin e arsimit në Kosovë, mjafton ta shohësh kush është ministre.
“Përndryshe, me e kuptu qysh menaxhohet arsimi n’Kosovë, mjafton me e pa kush është ministre. Paaftësia e padituria bashkë”, ka shkruar Mushkolaj.
E gazetari Lirim Mehmetaj ka thënë se tash qytetarët do të paguajnë më shtrenjtë për libra, pasi ato të blihen nëpër librari të cilat e kanë fitimin e tyre.
“Tash çmimi bëhet akoma më i lartë, sepse përveç çmimit të librit të shtëpisë botuese, duhet të paguhet edhe fitimi diferencial i librashitësit, sepse ai i blen nga shtëpia botuese dhe shton pak në çmim për fitimin e tij. Rrjedhimisht, këta kanë anuluar një proces për shkak se kushton, për ta zëvendësuar me një tjetër proces që kushton më shumë. Përse po e bëjnë, a nuk e dinë ata që kjo s’ka kuptim? E dinë. Por, kjo është ideja populiste me synimin për të arritur përshtypje që ne nuk paguajmë shtëpitë botuese, por ia shpërndajmë paratë direkt popullit (paçka se edhe “populli” tek ato shtëpi botuese do të duhet t’i blejë librat)”, ka shkruar Mehmetaj.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se deri te ky vendim kanë ardhur pasi nuk kanë mundur të merren vesh me shtëpitë botuese. Andaj, prindërve do t’u transferohen paratë dhe ata vet do t’ua blejnë librat nxënësve.
“Mënyra si është menduar të bëhet rimbursimi ka të bëjë me derdhjen e mjeteve në xhirollogari. Është dizajnuar faqja në E Kosova. Pjesa më e madhe e prindërve i kanë të hapura llogaritë. Do të jetë proces i lehtë, ku prindi në momentin që identifikon veten dalin emrat e fëmijëve, do të zgjedhet shkolla që krejt të shkojë në rregull, dhe në fund është edhe një klauzolë ku secili e merr përgjegjësinë që mjetet do t’i marrë, do t’i përdorë për blerjen e teksteve. Pagesa do të bëhet paraprakisht, pra mjetet të dalin e pastaj ato të shpenzohen për libra. Nuk do të ketë nevojë për fatura e tema të tjera. E kemi parapraë një shënim ku prindi e verifikon që mjetet i vendosen në llogari do t’i përdorë për blerjen e teksteve për fëmijë. Këto janë obligime të përbashkëta, të qeverisë, prindërve, shkollave e komunave”, ka deklaruar ministrja e Arsimit në konferencë për media.
Ky vendim ka nxitur edhe shumë reagime të tjera. / Nacionale