Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë u paraqit si mysafir në TV Happy sot.
Ai u shpreh që Serbia ishte sillur në mënyrë të përgjegjshme prej që shpërtheu lufta në Ukrainë. Shefi i diplomacisë serbe duke folur për dokumentin që u lëshua në Greqi i pati këto fjalë:
“Presidenti Vuçiq më tregoi dy versionet e tekstit, dhe e di qysh dukej i pari, dhe e di qysh dukej i fundit që u lëshua për publik. Dy gjëra janë shumë të rëndësishme këtu. Pjesa e sanksioneve ishte hequr dhe përmendja direkte e presidentit Putin ishte hequr. Sa na përket neve, kjo është një qasje shumë korrekte.”
Daçiq vazhdoi tutje duke thënë që duhej të mbante marrëdhënie miqësore edhe me shtetet perëndimore por po ashtu edhe me Rusinë dhe Kinën.
Ministri i Jashtëm i Serbisë vazhdoi tutje me fjalë të papranueshme edhe sa i përket spastrimit etnik.
“Por, prisni një minutë. Kush e spastroi kë? Sepse kur ndodh një gjë e tillë në botë dhe ka më pak viktima, atëherë duket të ketë më pak njerëz. Dhe kur vjen puna te Kosova, atje thuajse s’ka serbë. Merrni shembullin e Prishtinës, ku më 1999 jetonin rreth 40 mijë serbë…” – u shpreh ai.
Më tej, kryediplomati i Serbisë në mënyrë të çuditshme pretendoi që vetëm Serbia ishte duke e zbatuar Marrëveshjen e Brukselit derisa po fliste për sanksionet evropiane ndaj Kosovës.
Jo më larg se dje, Daçiq i tha një zyrtari të Këshillit të Evropës në Beograd se trajtimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim ishte “i papranueshëm”. Kjo është në kundërshtim të qartë të nenit 4 të Marrëveshjes së 27 shkurtit të këtij viti.
Sidoqoftë, shefi i diplomacisë serbe u shpreh që Serbia ishte nën presion për të ndërmarrë vendime (sa i përket Kosovës) në baza të përditshme.
Daçiqi foli edhe për të ashtuquajturin bllokun e shteteve Brics (Brazili, Rusia, Kina, India dhe Afrika e Jugut) të bëra bashkë si kundërpeshë e G7-s për të reduktuar varësinë nga sistemet financiare të Perëndimit.
Daçiqi u shpreh se Serbia nuk mund të ishte edhe kandidate për anëtarësim në BE edhe kandidate për anëtarësim në Brics.
“Çfarë mund të përdorim si përfitime nga ekzistenca e asaj organizate duhet të studiohet ende, dhe ajo nuk është aq e sigurt sepse as ata vetë nuk kanë rregulla të qarta… megjithëse është e qartë se gati të gjitha shtetet aty janë mike të Serbisë.”