Home » A është ky fundit i koalicionit me PDK’në? Rama shkarkon Donjeta Sahatçiun nga posti i nënkryetares, e emëron zyrtaren e LDK’së

A është ky fundit i koalicionit me PDK’në? Rama shkarkon Donjeta Sahatçiun nga posti i nënkryetares, e emëron zyrtaren e LDK’së

by Arlind Imeri
0 comments

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama e ka shkarkuar Donjeta Sahatçiun nga posti i nënkryetares së Komunës në kuadër të asaj që ai e ka quajtur ristrukturim i kabinetit qeverisës në kryeqytet.

Rama shkroi në Facebook se Sahatçiu u shkarkua për shkak të ngecjeve të evidentuara në fushën e digjitalizimit, fushë të cilën e ka udhëhequr ajo.

“Ky projekt, siç e dini ka qenë një prej premtimeve të bëra, duke dashur që të përmirësoj e modernizoj institucionet e Kryeqytetit. Andaj, për shkak të vonesave të shumta në proces dhe ngecjes së projektit të digjitalizimit, kam marrë vendim që të liroj nga detyra, znj. Donjeta Sahatçiu, nga pozita e Nënkryetares së Kryeqytetit dhe pozita e Ushtrueses së Detyrës së Drejtores së Arsimit”, shkroi Rama.

Në vend të saj, Rama e ka emëruar nënkryetare të Komunës, anëtaren e Kryesisë së LDK-së, Jehona Lushakun.

“Dr. Jehona Lushaku – Sadriu, e kam emëruar Nënkryetare të Kryeqytetit dhe Ushtruese e Detyrës së Drejtores së Arsimit. Dr. Lushaku – Sadriu është profesoreshë e mirënjohur universitare me arritje të shumta profesionale”, shkroi kryetari i Prishtinës.

Rama njoftoi po ashtu se e ka themeluar Drejtorinë për Transformim, në krye të së cilës tha se e ka emëruar arkitektin Ilir Murseli.

“Në funksion të përshpejtimit të transformimit të Kryeqytetit dhe avancimit të standardeve të ndërtimit dhe sigurisë së qytetarëve, kam vendosur që të themeloj Drejtorinë për Transformim. Në krye të saj, kam emëruar arkitektin e njohur, z. Ilir Murseli. Kjo drejtori do të ketë në fushëveprim të saj edhe zhvillimin e projekteve madhore, përfshirë përgatitjet infrastrukturore për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030”, shkroi Rama.

LAJME TË NGJASHME

Për ne

“EXPOSÉ” i përkushtohet integritetit gazetaresk dhe vlerave të gazetarisë së pavarur. Ne kërkojmë të prezantojmë lajme të balancuara, duke pasur parasyshë përgjegjësinë sociale dhe ndikimit të informacionit në shoqëri.

 

Ne besojmë në fuqinë e gazetarisë për të ndikuar në zhvillimin e shoqërisë dhe për të promovuar transparencën, llogaridhënien dhe të drejtën e lexuesve për të ditur.

@2023 – Të gjitha të drejtat e rezervuara. GAZETAEXPOSE.COM